Këshilli i Bashkisë së Matit miratoi këtë të premte buxhetin e vitit 2024. Kjo ishte mbledhja e fundit për këtë vit kalendarik, ndërsa rendi i ditës ishte i ngjeshur me 14 pika.
Pasi miratoi rendin e ditës në parim, këshilli nisi shqyrtimin e pikave një e nga një. Fillimisht këshilltarët miratuan unanimisht projekt-vendimin për dhënien e ndihmës ekonomike të fondit 6% për muajin nëntor të këtij viti. Në pikën e dytë këshilltarët miratuan me shumicë votash statusin e të pastrehut për 7 familje aplikante. Ndërsa në pikën e tretë u miratua lista e familjeve përfituese e programit të strehimit social “Banesë me kosto të ulët” në Bashkinë Mat. Numri i përgjithshëm i punonjësve të Bashkisë Mat i renditur në pikën e katërt të rendit të ditës së kësaj mbledhje u miratua pas relatimit të specialistëve përkatës. Ndërkohë, pika pasardhëse ishte për nivelin e pagave të punonjësve të bashkisë Mat për vitin 2024. Edhe kjo pikë u miratua nga anëtarët e pranishëm. Në pikën e gjashtë, këshilltarët e pranishëm diskutuan projekt-buxhetin e hartuar nga administrata e Bashkisë Mat. Këshilltarët parashtruan pyetjet e tyre në lidhje me disa zëra të buxhetit, duke kërkuar qartësim nga specialistët të cilët e kanë hartuar. Pas diskutimeve, me 15 vota pro dhe dy kundër u miratua buxheti i vitit të ardhshëm për Bashkinë Mat.
Ndërkohë, pikat pasardhëse gjetën miratimin e këshillit bashkiak si projekt-buxheti afatmesëm 2024 – 2026, kalendari buxhetor 2025 – 2027, si dhe disa pika të tjera me rëndësi për jetën në komunitet.