Është mbledhur këtë të enjte Këshilli bashkiak Dibër për të miratuar disa pika në rendin e ditës, të cilat nuk u miratuan për katër mbledhje me radhë për shkak të bojkotit të këshilltarëve opozitarë. Ndryshe nga mbledhjet e kaluara, mbledhja këtë herë u drejtua nga zv/kryetari i Këshillit Mario Fejza.

  Në mbledhje munguan këshilltarët e opozitës të cilët prej afro dy muajsh kërkojnë një informacion nga drejtuesit vendor dhe përfaqësues të institucioneve qëndrore në lidhje me projektin e HEC-it Skavica. Por kjo nuk i ka penguar këshilltarët e pranishëm që të miratonin pikat në rendin e ditës. Ata miratuan ndihmën ekonomike për muajin Prill, projekt-vendimin për përcaktimin e zonave të administrimit të parkimit, aktin e themelimit të shoqërisë “Operatori i rrugëve rurale dhe turistike”, etj. Ndërkohë pika e fundit e rendit të ditës ishte ajo e shqyrtimit të rezolutës së paraqitur nga një grup anëtarësh të këshillit Bashkiak Dibër, e cila ka të bëjë me HEC-in Skavica. Ndërkohë, nga rendi i ditës ishte hequr mocioni i mosbesimit ndaj kryetares së Këshillit bashkiak Irini Shehu, i paraqitur në mbledhjen e kaluar nga më shumë se 1/3 e këshilltarëve.