Më në fund, banorët e fshatit Kërçisht i Sipërm, në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë e Dibrës, do të kenë rrugë të asfaltuar. Investimi i nisur pak javë më parë ka përfunduar, duke bërë që banorët e fshatit Kërçisht i Sipërm, i përzgjedhur nga qeveria shqiptare si një nga 100 fshatrat turistik, të mos kenë më probleme me infrastrukturën rrugore. Investimi vjen pas një sërë protestash që kanë zhvilluar banorët e këtij fshati të cilët pengonin punimet në rrugë me argumentin se po bëhej punë për të ndërtuar rrjtin e ujësjellësit, i cili ju merr ujin e malit. Megjithatë, banorët që pranuan të prononcohen thanë se asfaltimi i rrugës u ka zgjidhur një gangrenë të kahershme në infrastrukturën rrugore. Ata shprehen se tashmë e kanë më të lehtë me çdo lloj mjeti për të lëvizur drejt qytetit të Peshkopisë apo destinacioneve të tjera.
Ky është investimi më i madh i bërë në fshatin Kërçisht i Sipërm, që nga viti 2018, kur u shpall si një ndër 100 fshatrat turistik në rang vendi.