Gardisti Feim Dollapaj, shoqëruesi i kreut të Partisë Demokratike është takuar me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, me pretendimin se Lulzim Basha është kërcënuar.
Në shkresën drejtuar ministrit të Brendshëm e që mban firmën e sekretarit të përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, demokratët i referohen një takimit të ministrit Lleshaj me një prej punonjësve të gardës së Republikës, truprojë e Lulzim Bashës, mbi rrezikun që i kanoset sipas Ministrisë së Brendshme, kreut të opozitës.
Ministri Lleshaj ka kërkuar nga punonjësi i Gardës t’i bëjë me dije nëse z.Basha kërkon masa shtesë sigurie pas informacioneve që vetë ministri disponon. Po sipas të njëjtave burime, takimi është zhvilluar në zyrën e ministrit Lleshaj, rreth orës 15:00 ditën e premte të javës që lamë pas.
Për Partinë Demokratike, mënyra e ndjekur nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është e paprecedentë dhe jashtë çdo praktike ligjore.