Kërcënimi i Deputetes nga Banda e Bajrajve, Debate të Ashpra në Komision

Kërcënimi i Deputetes nga Banda e Bajrajve, Debate të Ashpra në Komision

Deputetja Marjana Koçeku ka munguar në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, ndërsa deklarata e saj publike drejtuar grupit kriminal të Bajrave për kërcënim ndaj saj dhe familjes ka shkaktuar diskutime të ashpra.

Ishte deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cila ngriti shqetësimin mbi sigurinë e qytetarëve të thjeshtë, kur një fenomen i tillë prek edhe përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

“Nëse krimi i organizuar është në gjendje të ushtrojë kërcënime ndaj një deputeteje, një gruaje, atëherë çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë. Çfarë garancie kanë qytetarët e zakonshëm, dhe ky nuk është problem vetëm i rendit publik, por është një çështje që prek drejtpërdrejt integrimin në BE”, theksoi Vokshi.

Përgjigjen e dha kryetari i Komisionit, Igli Hasani, i cili shënoi edhe reagimin e parë të Partisë Socialiste për këtë çështje. Hasani theksoi se kushdo që ndihet i kërcënuar duhet t’i drejtohet organeve ligjzbatuese dhe jo rrjeteve sociale.

“Kushdo që ndihet e kërcënuar, kushdo që ka indicie duhet t’i drejtohet organeve, Policisë së Shtetit, nëse ka edhe një indicie. Se kush zgjedh Instagramin për të bërë deklarata, kjo nuk është puna ime fare. Duhet t’i drejtohen Policisë së Shtetit”, u shpreh Hasani.