Katër vite më parë, tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit të vitit 2019, shkaktoi dëme të mëdha edhe në Klos. Disa banesa u bënë të pabanueshme për shkak të dëmtimit që pësuan. Por edhe pse kanë kaluar katër vite, këta familje janë ende pa banesa. Një ndër ta është edhe familja Hoxha nga fshati Bejn. Kryefamiljari Mersim Hoxha tregon peripecitë e këtyre katër viteve, pasi çadra e dhuruar në atë kohë ka më shumë se dy vite që ka dalë totalisht jashtë funksionit. I gjendur në këto kushte, ai është rikthyer në banesën e çarë dhe që ka përdorur dërrasa për t’i mbajtur tavanin i cili është thuajse i shembur. Mersimit i kanë mbaruar fjalët për problemin e tij, teksa thotë se ka humbur gjitha shpresat se një ditë banesa do t’i rindërtohet. Qeveria shqiptare nuk e përfshiu Klosin në hartën e rindërtimit në vitin 2020, duke lënë disa familje në mëshirë të fatit. Pushteti vendor ka vendosur bonus qeraje për këto familje, por sipas familjarëve kjo nuk është zgjidhja që kërkojnë.