Ende nuk dihen arsyet se përse Mjacaj qëlloi për vdekje të burgosurin përjetë, i cili ishte dënuar për vrasjen e një shqiptari në Angli, trupin e të cilit më pas e dogji.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për Balkanweb se Arben Lleshi në vitin 2018 ishte plagosur me thikë në burg, por aso kohe autoritetet e hetuan si një sherr mes të burgosurve, dhe jo si tentativë për ta eliminuar. Arben Lleshi është i dënuari që u ekzekutua sot nga Sokol Mjacaj brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Aty ai vuante dënimin përjetë për vrasjen e Agim Hoxhës dhe djegien e trupit të tij brenda një makine, ngjarje që ka ndodhur në vitin 2012 në Britaninë e Madhe.

Ishte pikërisht kjo ngjarje që nisi sagën e vrasjeve dhe eliminimeve në fisin Lleshi, pasi në vitin 2013 u ekzekutua me armë zjarri Xhavit Lleshi, xhaxhai i Arben Lleshit.

Më pas në vitin 2016 u vra Hajredin Lleshi në fshatin e lindjes në Burrel, i cili është vëllai i Xhavitit dhe xhaxhai tjetër i viktimës së sotme Arben Lleshi.

Ndërkohë në vitin 2017 u zhduk pa gjurmë Artan Lleshi, djali i Hajredinit, i cili nuk është gjendur sot e kësaj dite. Të njëjtin fat pati edhe Klevis Lleshi, i cili u zhduk në vitin 2020 dhe eshtrat e tij u gjetën në pronën e dajave të viktimës së shkaktuar nga Arben Lleshi në Angli, Agim Hoxha.

Me vrasjen e sotme të Arben Lleshit nga Sokol Mjacaj bilanci i vrasjeve në familjen Lleshi arrin në 4 të vrarë dhe një tjetër person që është zhdukur pa gjurmë. ballkanweb