Ulja e numrit të skuadrave aderuese në kampionatin e kategorisë së parë në futboll e ka rritur rivalitetin mes skuadrave. Vetëm 12 ekipe do të përballen me njëra-tjetrën në një luftë për të qenë pjesë e superligës sezonin e ardhshëm dhe të mbijetesës për të mos rënë në një kategori më poshtë. 12 skuadrat që nisin garën zyrtarisht me datë 2 shtator janë: Burreli, Tomori i Beratit, Korabi i Dibrës, Luzi i Vogël 2008, Flamurtari, Bylis, Kastrioti, Elbasani, Vora, Besa, Lushnja dhe Apolonia.

Burreli do të luajë ndeshjen e parë jashtë fushe ku do të provojë forcën me ekipin Bylis, ndërsa përballet e tjera do të jenë Tomori – Korabi, Luz i Vogël 2008 – Flamurtari, Kastrioti – Elbasani, Vora – Besa dhe Lushnja – Apolonia. Në javën e dytë të sezonit 2023 – 2024 Burreli do të presë në “Liri Ballabani” ekipin e Kastriotit.

Duke qenë se kanë mbetur edhe pak ditë nga nisja zyrtare e ndeshjeve, skuadrat po bëjnë lëvizjet e fundit për të siguruar lojtarë sa më cilësor jo vetëm ekipet pretendente për superligë, por edhe ata që do të luftojnë për të mbijetuar në kategorinë e parë.