Ekipi i Futbollit “Burreli” do të presë nesër në “Liri Ballabani” ekipin e Veleçikut të Koplikut. Matjanët vijnë në këtë ndeshje pas humbjes së një jave më parë në transfertë ndaj Vorës ku u mund me rezultatin 1 me 0 për vendasit. Megjithatë, mësohet se pas analizës së zhvilluar në fillim të javës, djemtë janë motivuar për të fituar në shtëpi. Të kontaktuar nga Mat Tv, drejtues të klubit të futbollit Burreli, thanë se gara po vështirësohet dhe se nuk do të lejohet asnjë gabim të paktën në ndeshjet që do të luhen brenda në shtëpi. Kjo ndeshje do të luhet pa praninë e tifozëve të cilët janë dënuar për ndeshjen e fundit luajtur tre javë më parë ndaj “Ilirisë” së Fushë-Krujës, nga komisioni i disiplinës për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës. Gjithsesi, burime nga klubi mësohet se Administratori Demir Çupi iu ka kërkuar fitore ekipit me çdo kusht, në të kundërt do të ketë penalizime për të gjithë skuadrën bashkë me stafin teknik. Ndeshja mes Burrelit dhe Veleçikut do të zhvillohet nesër në orën 16:00.