Një vlerë e konsiderueshme monetare është bllokuar në pikën e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut në Bllatë të Dibrës. Në njoftimin e dhënë për mediat bëhet e ditur se Policia Kufitare Bllatë në bashkëpunim me autoritetet doganore kanë intensifikuar kontrollet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme që mund të kryher nëpërmjet pikës doganore. Si rezultat i kontrolleve të imtësishme, në dalje të Republikës së Shqipërisë, është kaluar për kontroll në vijë të dytë, automjeti tip “VolksVagen”, me drejtues shtetasin M.L.

Gjatë kontrollit janë konstatuar vlera monetare,  të padeklaruara në shumën 10,070 euro, 100,000 lekë dhe 70 paund, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M.L, 29 vjeç, banues në Bushtricë, Kukës, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave.