Kanye West në Tiranë: Koncerti Madhështor dhe Hija e Polemikave
Reperi i njohur botëror, Kanye West, ka mbërritur në Shqipëri, ku sonte pritet të zhvillojë koncertin e tij madhështor në periferi të Tiranës. Një stadium i improvizuar në Kashar pritet të presë dhjetëra mijëra fansa të artistit amerikan.
Pamjet e mbërritjes së reperit tregojnë Kanye West duke hyrë në një objekt, ndërsa është pritur me entuziazëm nga fansat e pranishëm. Ai pritet të performojë disa nga hitet më të mëdha të karrierës së tij, duke sjellë një shfaqje spektakolare për publikun shqiptar.
Autoritetet veçse kanë nisur përgatitjet për masat e sigurisë dhe kanë njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit të automjeteve në zonat përreth vendit ku do të mbahet koncerti.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se gjithçka është gati sa i përket organizimit të eventit. Rama, përmes një postimi në rrjetin social, theksoi se ky koncert do ta fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale, atë të komunitetit botëror të amatorëve të muzikës.
Megjithatë, mbërritja dhe organizimi i koncertit të Kanye West në Tiranë nuk ka kaluar pa polemika. Ai vjen në një kohë kur banorët e kryeqytetit kanë zhvilluar prej javësh protesta kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec, duke kërkuar gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ky event i madh artistik zhvillohet pra nën hijen e pakënaqësisë qytetare.