Kanali i Klosit çahet dhe përmbyt banesën, balta dhe ujërat dalin në rrugën Klos-Burrel
Familja Cani, në lagjen “Hasa” të fshatit Bërshi të Bashkisë Klos, prej vitesh jeton nën frikën e dëmtimit të banesës nga kanali vaditës i Klosit. Kryefamiljari Arjan Cani tregon se gjatë të hënën, pas mesnate vepra vaditëse është dëmtuar dhe ujërat së bashku me baltën kanë depërtuar në oborrin dhe banesën e tyre, ndërsa një pjesë e tyre ka përfunduar edhe në rrugën nacionale Klos - Burrel. Situata e krijuar nga uji dhe balta e derdhur mbi xhade ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve në orët e para të mëngjesit. Sipas kryefamiljarit të banesës së dëmtuar nga çarja e kanalit vaditës, Arjan Canit, ky nuk është rasti i parë që banesa e tij rrezikohet nga shembjet e kanalit. Ai thotë se rreth një vit e gjysmë më parë, një pjesë e kësaj vepre vaditëse është shembur plotësisht dhe uji së basku me dherat kanë përfunduar në rrugën nacionale, duke dëmtuar edhe murin mbrojtës të banesës. Cani shprehet se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme pranë organeve përgjegjëse, deri tani nuk është ndërhyrë për ndërtimin e murit mbrojtës të dëmtuar nga shembja e kanalit vaditës. Familja Cani kërkon ndërhyrje urgjente nga Bordi i Kullimit, në bashkëpunim me Bashkinë Klos, për riparimin e kanalit vaditës dhe forcimin e murit mbrojtës, në mënyrë që banesa dhe familja të mos vijojnë të jenë në rrezik. Ndërkohë, edhe më herët janë raportuar raste të shembjes së kanalit vaditës përgjatë aksit nacional Klos-Burrel, duke shkaktuar bllokime të qarkullimit rrugor dhe pasiguri për drejtuesit e mjeteve.