Kjo fundjavë do të jetë pushim për kampionatet e futbollit profesionist në vendin tonë. Ndeshja e ekipit të Kombëtares të luajtur të enjten kundër Çekisë, ka bërë që garat zyrtare të ekipeve të superligës dhe kategorisë së parë të shtyhen për javën e ardhshme.

Ekipi i Burrelit do të ketë një sfidë të vështirë me 22 tetor pasi do të përballet në transfertë me ekipin e Korabit të Dibrës. Takimet mes këtyre skuadrave kanë rivalitet duke qenë se janë brenda të të njëjtit qark, duke u konsideruar si derbi.

Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit as skuadra dibrane nuk është në nivelin e pritshëm pasi në 7 javë ka siguruar vetëm 8 pikë duke u pozicionuar në vendin e 8 të renditjes së kategorisë së parë, ndërsa Burreli në vendin e 10.

Gjithsesi, ndeshja pritet të jetë e vështirë për shkak të rivalitetit por edhe për shkak se të dyja skuadrat kanë nevojë për pikë në mënyrë që të sigurojnë mbijetesën në këtë kategori.

Deri tani rezultatet më të mira i ka Bylis me 6 fitore e 1 barazim, duke grumbulluar 19 pikë në shtatë javë kampionat dhe duke u pozicionuar në vendin e parë.

Dritan Kurti