Kafshët shtëpiake bëhen burim aksidentesh në rrugën e Arbrit
Dalja e kafshëve shtëpiake në rrugën e Arbrit, në afërsi të urës së Vashës në Klos, është kthyer në burim aksidenti. Lopë e gomerë “pushtuan” aksin mesditën e kësaj të enjteje, duke u bërë rrezik serioz për automjetet që qarkullonin në drejtim të Dibrës dhe Tiranës. Prania e tyre në rrugë, ku shpejtësia makismale është mbi 80 km/h, përbën rrezik të madh për të gjithë përdoruesit e rrugës. Kanë qenë vetë përdoruesit e këtij aksi që kanë larguar kafshët nga rruga në mënyrë që të shmangeshin aksidente me pasoja që mund të ishin edhe fatale. Gjatë stinës së pranverës dhe verës shpesh ky aks rrugor ka prani të kafshëve shtëpiake, që pronarët i lëshojnë në kullotë, por në mungesë rrjetave kufizuese ato futen në rrugën e Arbrit. Në disa raste ka patur përplasje të makinave me kafshët, duke i dëmtuar ato, por duke shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale tek automjetet. Duke qenë se kjo është një rrugë interurbane, policia e Dibrës ju bën apel banorëve që jetojnë përgjatë saj të mos lejojnë daljen e kafshëve shtëpiake në rrugëën e Arbrit, pasi do të jenë përgjegjës nëse ndodh që ato të përplasen nga automjetet që qarkullojnë në të.