Kabina elektrike pranë stadiumit “Korabi” mbetet në mëshirë të fatit

Kabina elektrike pranë stadiumit “Korabi” mbetet në mëshirë të fatit

Megjithëse është trajtuar disa herë në media, deri më tani nuk është marrë asnjë masë për ta rikthyer në gjendje normale kabinën elektrike që ndodhet vetëm pak metra larg stadiumit “Korabi”, në qytetin e Peshkopisë. Siç shihet edhe në pamje, kabina është pothuajse tërësisht e mbuluar nga bimësia dhe ferrat. Megjithatë, shqetësimi më i madh lidhet me mungesën e sigurisë së saj. Në mungesë të një investimi për sistemimin dhe sigurimin e objektit, kabina është lehtësisht e aksesueshme nga kushdo. Banorët që jetojnë pranë saj, të cilët nuk pranuan të flasin para kamerës, shprehen se aty futen shpesh qen endacakë, por edhe persona të pastrehë, veçanërisht gjatë reshjeve të shiut. Një tjetër problem serioz lidhet me mbulesën e kabinës. Mbi soletën prej betoni, e dëmtuar nga amortizimi ndër vite, është vendosur eternit. Dihet se eterniti është një material me përmbajtje azbesti, i konsideruar kancerogjen, përdorimi i të cilit është i ndaluar. Për më tepër, ai duhet të hiqet nga ndërtesat e ndërtuara para viteve ’90, veçanërisht në zonat e banuara. Pllakat e eternitit janë të dëmtuara dhe të thyera. Për shkak të erës ose faktorëve të tjerë atmosferikë, copa të tyre mund të shkëputen dhe të bien pranë kabinës, duke përbërë rrezik të veçantë për fëmijët që luajnë në atë zonë.