Pensionistët ne Peshkopi tregojnë se s’kanë marrë pensionin që duhet të merrnin në muajin maj. Më tej tregojnë se shumën duhet ta shpërndante punonjësi me emrin Gazmir Hysi. Sipas tyre, ai që i shpërndante është zhdukur dhe prej disa ditësh nuk është dukur të shpërndajë këto pensione. Disa të tjerë thonë se ai ka blerë shtëpi në Tiranë me lekët e pensionistëve. Ndërkohë, të tjerë pohojnë se ka ikur në Dubai.

Pas këtyre ankesave, gazetarët e emisionit Fiks Fare u interesuan te Posta e Peshkopisë, ku takuan punonjës dhe drejtorin Ilir Vranici. Drejtori thotë se Gazmiri ka pas disa probleme financiare, por nuk bëhet fjalë për përvetësim, vetëm vonesa dhe se pensionet do t’i shpërndajnë. “Për të dëgjuar po dëgjojmë, e ke parasysh! Jo ka ik, s’ka ik e ke parasysh. Njeriu ka pas ca probleme, ka qenë me raport. Është me raport aktualisht, megjithëse me raport, dje ka shpërndarë lekë në disa fshatra, Kastriot. Sot ka shpërndarë këtu (në qytet) disa të vendit që i kanë mbet të tjerë. Dhe ka fik telefonët. Ka edhe probleme financiare, të folim shqip. Brenda 3-4 ditëve do e marrësh pensionin, s’ka ku të shkojë! Dakord?! Me një fjalë, të jap fjalën se brenda të mërkurës do e marrësh pensionin” i thotë drejtori.

Ndërkohë, gazetarët e pyesin nëse ka blerë apo jo shtëpi në Tiranë. “Të thashë ka probleme financiare, a më kupton. Dhe, është e vërtetë që ka blerë shtëpi në Tiranë, po jo me lekët e kësaj, se shtëpia në Tiranë bën 50 milionë. Ai s’ka marrë 50 milionë! Por, më fal, ka përdorur pak nga këto (lekët e pensioneve) dhe pret të marrë kredinë ditën e hënë a të martë, ta rregullojë” i thotë ai, ndërsa në fund “tani më shqip s’di ç’të them”!

Pas këtyre përgjigjeve, gazetarët e emisionit “Fiks Fare” shkuan për ta pyetur personalisht drejtorin Ilir Vranici. “Punonjësi Gazmir Hasi ka tërhequr 11.4 milionë lekë të reja pensione dhe 5.7 milionë lekë ndihmë sociale për muajin maj 2022. Ka filluar t’i shpërndajë. Kemi pasur probleme me vonesa” tha drejtori. Më tej pohon se ka urdhëruar që ky punonjës mos të tërheqë më para nga arka e Postës, por të merret dikush tjetër. “Kam ngritur grup pune për të verifikuar rastin. Në datën 6 maj del raporti i kontrollit. Nuk e kam denoncuar në polici se s’ka dalë raporti i kontrollit” thotë drejtori. Gazetarët e pyesin nëse është aktualisht në punë Gazmir Hasi, ndërsa drejtori përgjigjet se “sot ka qenë, por tani (në orar të punës) ka fikur telefonin”. Gazetarët e pyesin nëse me këto lekë, punonjësi ka blerë apo jo apartament në Tiranë. “Jo, mesa di unë” përgjigjet drejtori, por në një bisedë me kamera të fshehtë ai tha se Gazmiri ka pasur probleme ekonomike dhe se ka blerë një apartament. Ndërkohë, në fund, gazetarët e pyesin se do t’i kthejë për t’i dalë kredia?! “Nuk kam informacion për kredi” përfundon drejtori Ilir Vranici, por më parë pohoi se “disa nga këto para (të pensioneve) i ka përdorur dhe do t’i kthejë kur t’i dalë kredia”.

Bisedë me drejtorin e Postës së Peshkopisë, Ilir Vranici

Gazetari – Gazmir Hasa, po e kërkojmë për (pensionet)

Drejtori – Për të dëgjuar po dëgjojmë, e ke parasysh! Jo ka ik, s’ka ik e ke parasysh. Njeriu ka pas ca probleme, ka qenë me raport, a më kupton. Është me raport aktualisht, megjithëse me raport, dje ka shpërndarë lekë në disa fshatra, Kastriot.

Drejtori – Sot ka shpërndarë këtu (në qytet) disa të vendit që i kanë mbet të tjerë. Sot a më kupton. Dhe ka fik telefonët, e ke parasysh… Ka edhe probleme financiare, të folim shqip a më kupton. Brenda 3-4 ditëve do e marrësh pensionin, s’ka ku të shkojë! Dakord?! Me një fjalë, të jap fjalën se brenda të mërkurës do e marrësh pensionin.

Gazetari – Se më thanë se ka blerë një shtëpi në Tiranë, hallall i qoftë.

Drejtori – Të thashë ka probleme financiare, a më kupton. Dhe, është e vërtetë që ka blerë shtëpi në Tiranë, po jo me lekët e kësaj, se shtëpia në Tiranë bën 50 milionë. Ai s’ka marrë 50 milionë! Por, më fal, ka përdorur pak nga këto dhe pret të marrë kredinë ditën e hënë a të martë, ta rregullojë… Edhe…

Punonjësi i postës – Ka pas probleme…

Drejtori – Tani më shqip s’di ç’të them!

Bisedë me pensionistë dhe punonjës të Postës në Peshkopi

Pensionistja – E kanë hequr Gazin?