Koronavirusi është përhapur pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, vetëm në qarqet Dibër dhe Gjirokastër nuk ka asnjë të infektuar me COVID-19. Në  këto qarqe janë testuar 15 persona, por asnjë prej tyre nuk rezulton i infektuar. Mësohet se në qarkun e Gjirokastrës janë në karantinë rreth 80 persona, pasi ditët e fundit kanë ardhur nga Greqia, Italia dhe Franca.

Po kështu edhe në Dibër janë dhjetëra persona në izolim, por deri më tani asnjë nuk rezulton i prekur. Në këtë qark janë testuar vetëm 10 persona.

377 të infektuar, 21 viktima dhe 116 të shëruar, ky është bilanci i deritanishëm i ‘luftës’ me COVID-19 në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19. Harta e rasteve të reja është zgjeruar sot në Tiranë, Shkodër dhe në Has. Deri më tani në Shkodër janë shënuar 6 raste të reja, mes tyre dhe një infermier që mund të ketë infektuar dhjetëra persona të tjerë.