Në javën e shtatë të kampionatit të kategorisë së parë në futboll, Burreli do të luajë në transfertë kundër ekipit të Elbasanit. Katër nga 6 ndeshjet e kësaj kategorie do të zhvillohen të shtunën, ndërsa të dielën do të jenë vetëm dy përballje, ajo mes Elbasanit e Burrelit dhe Kastrioti me Korabin.

Matjanët fituan bindshëm të hënën përballë ekipit të Besës së Kavajës, duke arritur të thyejnë rezultatet negative në javët e para të këtij kampionati. Katër pikët e siguruara deri tani e kanë pozicionuar skuadrën matjane në vendin e 9 të renditjes së përgjithshme të kësaj kategorie.

Ndërkohë, gjatë javës është punuar fort për të arritur rezultat pozitiv edhe në transfertë, pasi deri tani të gjithë ndeshjet e luajtura jashtë stadiumit “Liri Ballabani”, janë humbur.

Tekniku Dorian Bubeqi dhe stafi i tij kanë zhvilluar seanca të ngjeshura stërvitore, për të mos lejuar më rezultatet e javëve të para, por që në çdo ndeshje të kërkohet maksimumi.

Në javën e shtatë kategoria e parë kryesohet nga Bylis me 16 pikë, ndërsa në vendin e fundit është Luz i Vogël 2008 me vetëm 2 pikë.

Dritan Kurti