Sapo ka dalë nga shtypi libri i katërt studimor i studiuesit Dilaver Kurtit (pas vdekjes), i titulluar “Kultura iliro-arbërore në luginën e Matit”, një botim ky i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nëpërmjet Institutit të Arkeologjisë. Ky vëllim studimor është përgatitur për botim nga Jamarbër Buzo, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së studiuesit Kurti. Libri është përmbledhja e një varg artikujsh të botuar më parë dhe trajton kulturën ilire dhe arbërore të rajonit të Matit, si dhe vijimësinë kulturore të këtij rajoni që nga periudha protohistorike deri tek ajo mesjetare.
Përmbledhja e studimeve është mbështetur nga i biri i autorit, Artan Kurti, dhe është recensuar nga figura të njohura të arkeologjisë shqiptare, si profesor doktor Neritan Ceka dhe akademiku Adem Buguri, drejtor i Institutit të Arkeologjisë. Buguri, në parathënien e librit, nënvizon se duke shfletuar librin studimor “Kultura iliro-arbërore në luginën e Matit”, lexuesi informohet se Kultura ilire e Matit filloi të zbulohej në vitin 1952 me survejimet dhe gërmimet e para, ndërsa gjatë viteve 1954-1958 u zbuluan një sërë nekropolesh tumulare të pasura me materiale dhe objekte arkeologjike. Këto kërkime, të cilat hodhën dritë mbi zhvillimin e kulturës ilire dhe lidhjet e saj me kulturën arbërore, u thelluan nga studiuesi Dilaver Kurti. Për më shumë se dy dekada, ai u përkushtua në studimin e nekropoleve tumulare të Matit, duke sjellë rezultate të rëndësishme për arkeologjinë shqiptare.Një nga arritjet më të mëdha të Kurtit ishte identifikimi dhe analiza e grupit kulturor Glasinac-Mat, që përfshin Shqipërinë Veriore dhe Qendrore, Kosovën dhe rajone të tjera të Ballkanit.
Pas ndarjes së tij nga jeta në vitin 1998, studiuesi Dilaver Kurti u nderua me titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Burrelit, dhe një rrugë e qytetit mban emrin e tij, si shenjë vlerësimi për kontributin e tij të çmuar në kulturën dhe shkencën arkeologjike shqiptare.
Prof. dr. Selim Islami, Prof. dr. Frano Prendi, Prof. dr. Muzafer Korkuti, Prof. dr. Zhaneta Andrea, Prof. dr. Bep Jubani vlerësojnë në këtë libër kontributin e Dilaver Kurtit në studimet dhe gërmimet arkeologjike të kulturës ilire të Matit, duke theksuar rëndësinë e punës së tij për zbulimin dhe njohjen ndërkombëtare të këtij rajoni. Libri do të shërbejë si një burim i vyer për ata që janë të interesuar për studimin e kulturës ilire dhe zhvillimet e saj në rajonin e Matit. Siç shprehet prof. dr. Bep Jubani, “Kultura ilire e Matit sot njihet kryesisht falë botimeve dhe rezultateve fushore të mikut tonë, Dilaver Kurti”. Gjithashtu, libri studimor “Kultura iliro-arbërore në luginën e Matit”, është një kujtim i përjetshëm për një nga ish-studiuesit më në zë të Shqipërisë, Dilaver Kurti, që së bashku me 3 librat e tjerë të tij: “Trashëgime iliro-arbërore”, “Shënime etnografike nëpër Mat” dhe “Folklor nga Mati”, përbëjnë një trashëgimi të pasur për shkencën arkeologjike dhe kulturën shqiptare.