Profesioni i minatorit mbetet ndër më të vështirët dhe të rëndit në vendin tonë. Zonat mineralnxjerrëse, siç është Bulqiza, kanë patur burimmin e vetëm të të ardhurave punën e nëntokës, duke bërë që pothuajse çdo familje të kishte një person që të punonte në këto galeri. Shumë prej tyre që e nisën punën në minierë para viteve 90-të, tashmë janë në pension, ndërsa tregojnë peripecitë që kanë kaluar me dekada teksa shkonin në minierë. Hajdar Cemeta dhe Bajram Demiri, nga fshati Sopot i Zerqanit në Bulqizë, kanë punuar përkatësisht nga 40 dhe 25 vite nëntokë. Ata tashmë janë të dy pensionistë, ndërsa shprehen se mundi e djersa e tyre nuk u shpërblye kurrë. Pensioni që ata marrin aktualisht thonë që nuk mbulon nevojat që kanë si individ e jo më për familjen. Ata shprehen se vazhdimisht janë gënjyer nga politika për miratimin e statusit të minatorit, ndërsa ndjehen të braktisur nga sindikatat e minatorëve.

  Politika shqiptare, majtas e djathtas, vazhdimisht ka premtuar sa herë ka patur zgjedhje në Bulqizë, miratimin e statusit të minatorit, por asnjëra palë nuk e ka mbajtur premtimin deri tani.