Pas shumë vitesh më në fund rruga nacionale Skuraj – Burrel do të ketë sinjalistikë të plotë vertikale. Me investim të Autoritetit Rrugor Shqiptar, prej pak ditësh ka nisur puna për zbatimin e projektit për plotësimin me sinjalistikë, informuese, detyruese dhe këshilluese për të gjithë aksin rrugor prej 36 kilometrash nga rreth-rrotullimi në Skuraj deri në hyrje të qytetit të Burrelit.
Puna për vendosjen e tabelave rrugore të kufizimit të shpejtësisë etj. po bëhet nga firma që ka për mirëmbajtjen gjithë rrugët e kontratës B të Rajonit Qëndror e Verilindor. Të pyetur nga ana jonë, përfaqësues të Autoritetit Rrugor Shqiptar të Sektorit të Mirëmbajtjes thanë se e gjithë rruga do të plotësohet me sinjalistikë jo vetëm të tabelave vertikale, por edhe të sinjaleve fosforeshente që tregojnë dy skajet e karrexhatës.
Veç problemeve me dëmtimin e asfaltit, një nga problematikat e tjera të mëdha të kësaj rruge ka qenë edhe mungesa e sinjalistikës e cila është bërë shpesh burim aksidentesh.