Humbja e thellë e pësuar të shtunën në “Liri Ballabani”, ku ekipi ynë i futbollit “Burreli” u mund me rezultatin 5 me 1 nga Luzi Vogël 2008, ka bërë që të shkarkohet trajneri i skuadrës matjane Dorian Bubeqi.

Lajmi është konfimuar nga drejtues të Klubit të Futbollit “Burreli”, të cilët u shprehën se vendimi erdhi pas analizës së bërë pas ndeshjes së fundjavës që lam pas.

Ndonëse nuk ka detaje në lidhje me përgjegjësinë e plotë të kësaj humbjeje, i pari që e pësoi ishte trajneri Bubeqi. Ky i fundit e ka marrë drejtimin e skuadrës matjane që sezonin e kaluar, ku me punën e tij, arriti që ta mbante në Kategorinë e Parë. Por ky sezon nuk ka qenë aspak i mbarë për të pasi ekipi i Burrelit ka pësuar disa humbje radhazi, ku më e thella ishte ajo e së shtunës, ndaj Luzit të Vogël të Kavajës.

Ende nuk dihet se kush do të jetë pasuesi i trajnerit Bubeqi, ndërsa tashmë klubi matjan mbetet i hapur për emra që do të marrin përsipër drejtim e skuadrës për pjesën e mbetur të kampionatit kombëtar në futboll.

Edhe tifozët e Burrelit e pritën me indinjatë humbjen e fundit të ekipit të tyre, duke e quajtur atë “humbje fatale” dhe “turpëruese”. Ata shprehën kritika për performancën e ekipit në rrjetet sociale, duke ngritur akuzat për “tolerim” dhe “baste”, si dhe kërkuan që të merret përgjegjësi konkrete për këtë humbje.