Ky është përroi në lagjen e re të qytetit të Burrelit i cili prej vitesh ka qenë një gangrenë e madhe për banorët që jetojnë aty. Tejmbushja me mbeturina e këtij përroi ishte kthyer në një rrezik epidemie për banorët. Hedhja e mbeturinave aty ndër vite, kishte bërë që banorëve tju kanosej rreziku i infeksioneve të ndryshme.
Ndërkohë, që prej të premtes ka nisur ndërhyrja për pastrimin e këtyre mbetjeve dhe disiplinimin e përkohshëm të ujërave të ndotura. Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj i cili pa nga afër punimet tha se bashkia do të ndërhyjë edhe në zona të tjera për të zgjidhur paraprakisht ndotjen nga ujërat e zeza.
Nga ana tjetër Malaj iu kërkoi banorëve të lagjes së re që të kontribuojnë edhe ata në mbajtjen pastër të mjedisit ku jetojnë. Ai iu kërkoi atyre të përdorin kontenjerët që do të vendosen nga bashkia për të hedhur mbeturinat e konsumit të përditshëm.
Ky vendgrumbullim mbeturinash në lagjen e re prej vitesh ka qenë shqetësimi më i madh i banorëve sidomos në stinën e verës pasi temperaturat e larta rrisnin rrezikun e infeksioneve.