Kur kanë mbetur vetëm 10 ditë nga rinisja e kampionatit të kategorisë së parë në futboll, ekipet po nxitojnë për të bërë ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që t’i bëjnë ballë garës së kësaj kategorie, e cila sa vjen e bëhet më e vështirë. Por për teknikun e ekipit “Burreli”, Klevis Hima, koha e mbetur është e mjaftueshme për të bërë lëvizjet e nevojshme. Sipas tij, skuadra do të ketë ndryshime aty ku ka më shumë domosdoshmëri, ndërsa do të bëhet e mundur ruajtja e grupit, për ta patur më të lehtë përshtatjen e futbollistëve mes tyre. Gjatë 10 ditëve të para të janarit, Burreli ka zhvilluar dy ndeshje miqësore, ndaj të cilave, për teknikun Hima kanë qenë pozitive. Megjithatë, ai shton se ka ende punë për tu bërë dhe se djemtë duhet të stërviten fort për të dhënë maksimumin e tyre në ndeshjet zyrtare. “Kampionati rinis me 21 janar dhe ne duhet të bëjmë gjithçka gati” – tha mes të tjerash Hima.

Në ditët në vijim pritet të zyrtarizohen të gjitha lëvizjet e merkatos së dimrit, ndërsa pritet që emrat të bëhen publikë vetëm pasi të federohen në Federatën Shqiptare të Futbollit.