“Tuneli i Murrizit“ është vepra që po mban papërfunduar rrugën e Arbrit, pasi të gjitha veprat e tjera të artit kanë përfunduar. Problemet gjeologjike të cilat janë shprehur edhe nga ministria e linjës, kanë bërë që ky tunel të mos përfundojë dhe afati të shtuhej me 17 muaj që korrespondon me vjeshtën e vitit 2023.

Por në rrjetet sociale qarkullojnë pamje që njëri nga tunelet e kësaj rruge ka përfunduar. Bëhet fjalë për tunelin e emergjencës në të cilin puna nuk është ndalur, ndryshe nga tuneli tjetër që ka patur shembje të herë pas hershme.

Burime pranë kantierit në Murrize të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë Klos thanë se një ditë më parë është bërë hapja totale e tunelit të emergjencës, gjë të cilën e tregojnë edhe këto imazhe të shkrepura brenda. Megjithatë, kompania ende nuk ka nxjerr pamje, siç ka bërë vazhdimisht, pasi hyrja në tunel është e ndaluar për mediat.

Nga ana tjetër, burimet thanë se në tunelin e Madh nuk po avancohet për shkak se puna është përqendruar në riparimin e shembjeve që kanë ndodhur në pjesët e përfunduara.

Përfundimi i tunelit të emergjencës i hap udhë punimeve të tjera në të që janë shtrimi i rrugës, vendosja e ndriçimit, tubave të ajrimit etj. Ndërkohë, qytetarët e Qarkut Dibër, presin me padurim hapjen e plotë të tunelit, ku siç është deklaruar nga Ministria e Infrastrukturës, me problemet gjeologjike që kanë dalë, nuk ka një afatë të caktuar.