Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur një tjetër thirrje nëpërmjet Agjensisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural për mbështetje në investime në ferma dhe akuakulturë. Bëhet fjalë për mbështetje në ndërtimin e serave diellore. Që prej datës 1 Tetor të gjithë ata fermerë që duan të përfitojnë grand mbështetës për ndërtimin e serave diellore, duhet të aplikojnë për këtë skemë mbështetëse.
Udhëzimi ka mbërritur në çdo zyrë apo drejtori të Ekstensionit Bujqësor ku dhe fermerët mund të marrin informacionin e nevojshëm mbi mënyrën e aplikimit.
Sipërfaqja e tokës ku do të ndërtohet sera diellore nuk duhet të jetë më e vogël se 0.2 hektar, ndërsa grantet variojnë nga 4 milion lekë të rinj për serat e prodhimit të luleshtrydheve deri në 15 milion lekë të rinj për serat e prodhimit të perimeve.
Një tjetër mbështetje është edhe ajo për rrjetat mbrojtëse nga breshëri për pemët frutore, agrumet dhe vreshtat. Vlera mbështetëse për këtë e Agjensisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural është 1 milion e 500 mijë lekë të rinj për hektar.
Tjetër grant që ju ofrohet fermerëve është edhe ai për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve për mekanizmin dhe modernizimin e proceseve të punës në ferma bujqësore dhe blegtorale. Masa e përfitimit do të jetë 50% e vlerës së faturave tatimore e jo më shumë se 5 milion lekë të rinj.