Ky është blegtori Zeqir Shurdhi, nga fshati Gurë i Bardhë i Bashkisë së Klosit. 56-vjeçari është thuajse i vetmi që mbarështon bagëti të imta në këtë fshat. Dikur Guri i Bardhë numëronte mbi 2 mijë krerë bagëti e imtë, ndërsa sot kanë mbetur pak më shumë se 100 krerë. Zeqir Shurdhi thotë se fshati erdhi drejt braktisjes dhe se rreth 90% e banorëve të tij kanë emigruar. Me ikjen e të rinjve, thotë ai, ka rënë edhe numri i bagëtisë, pasi mosha e tretë e ka të pamundur të merret me to. Si me shaka 56-vjeçari tregon se ai është më i riu i fshatit që ende ruan traditën e mbajtjes së bagëtive. Për momentin kjo degë e bujqësisë është me leverdi pasi është rritur çmimi i mishit dhe nënprodukteve të qumshtit, por që Shurdhi thotë se duhet patjetër mbështetje nga shteti dhe motivim që edhe të rinjtë të merren me këtë punë.

Nga ana tjetër Zeqir Shurdhi thotë se vetë do të merret me blegtori deri sa të mundet fizikisht e mendërisht, ndërsa bën apel që shteti të jetë më afër fshatit dhe të motivojë të rinjtë të punojnë këtu e të mos largohen në emigrim.