Problemet në segmentet e hapura për qarkullim në rrugën e Arbrit vijojnë të jenë të ndryshme. Krahas deformimit të rrugës në pjesën që kalon përmes Njësisë Administrative Xibër të Bashkisë Klos,probleme ka edhe në tunele.

Në tunelin numër dy të kësaj rruge i cili ndodhet në fshatin Shkallë të Xibrit, prej kohësh janë shfaqur gunga dhe gopa në të. Drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes teksa lëvizin në drejtim të Tiranës pasi mjetet e vogëla mund të bëjnë kontakt me asfaltin për shkak të këtyre gungave. Vetëm ata që e njohin rrugën i shmangen këtyre deformimeve të rrugës duke dalë gati në korsinë tjetër të lëvizjes, ndonëse kthehen në burim aksidenti.

  Ekspertët rrugor thonë se është e pranueshme që një deformim i tillë të ndodhë sa kohë që rruga ende është një kantier ndërtimi. Por sipas tyre, firma duhet të kujdeset që të vendosë sinjalistikë informuese për drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këtë aks rrugor, përsa kohë ka lejuar që të ketë qarkullim.

Por sinjalistika që paralajmëron përdoruesit e rrugës për rrezikun që ju kanoset mungon, ndërsa ju duhet vetë që drejtuesit e mjeteve të jenë vigjilent teksa qarkullojnë në këtë rrugë dhe sidomos në tunelin numër dy, pasi mund të dëmtojnë automjetet dhe më e keqja të aksidentohen.