Termometri gjatë natës së 26 nentorit ka shënuar vlerat më të ulëta në -13° në qytetin e Peshkopisë. Në akset rrugore kombëtare Peshkopi – Kukës dhe Peshkopi – Maqellarë ka prezencë të akullit, ndaj drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes, të jenë të pajisur me goma dimërore dhe të përdorin mjetet antirrëshqitëse.

Aksi Peshkopi – Kukës ka prezencë të akullit nga Sllova deri në Vasie, ndaj në orët e para të mëngjesit dhe të darkës duhet të përdoren zinxhirët.

Rrugët e qendrave të njësive administrative janë hapur, ndërsa  Lura komunikon nëpërmjet Mirditës. Ndërkohë problem në këtë bashki mbeten rrugët e fshatrave, ndërsa bashkia ka nisur punën për hapjen e rrugëve të fshatrave. 

Disa njësi administrative në Dibër prej më shumë se 48 orësh janë pa energji elektrike, ndërsa prej dy ditësh kanë punuar 6 grupe të OSHE dhe OST, në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe 3 grupe  nga Kavaja dhe Durrësi, për të përshpejtuar riparimin e defekteve të shkaktuar nga moti i keq. Edhe në Bulqizë, disa njësi administrative janë ende pa rrymë si Ostreni, Trebishti, Martaneshi etj.