GJYKATA E DIBRËS NDRYSHON MASAT E SIGURISË PËR TË NDALUARIT DHE TË AKUZUARIT E DOSJES SË ASHK
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër zhvilloi këtë shtunë vlerësimin e masave të sigurisë për 14 personat e akuzuar për falsifikim të dokumentacionit për një ndërtesë në qytetin e Peshkopisë, lëshuar dy ditë më parë nga Prokuroria e Dibrës pas referimit të bërë nga Policia e Dibrës. Gjykata ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie për Teshar Doçin dhe Fatjon Çakrrin. Po ashtu, gjykata ka vendosur në mungesë që masa e sigurisë ndaj ish-Drejtorit të ASHK Dibër Danjel Gjura të konvertohet në Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore. E njëjta masë është lënë edhe për noteren. Po ashtu, për disa nga të proceduarit, punonjës të ASHK Dibër, gjykata i ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tyre, duke i zhveshur nga masat e sigurisë së kërkuar nga prokuroria. Rasti në fjalë i referohej një objekti të ish-ndërmarrjes së ndërtimit me sipërfaqe 150 metra katror. Pronarët e tokës kishin kërkuar pronësi mbi objektin, i cili më parë ishte privatizuar nga Teshar Doçi. Pas denoncimit të bërë 7 muaj më parë, uniformat blu të Dibrës zhvilluan një aksion duke arrestuar Teshar Doçin dhe Fatjon Çakrrin, për të cilët gjykata vendosi ndryshimin e masës nga arrest me burg në arrest shtëpie.