Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu ka mbledhur drejtuesit e institucioneve përgjegjëse për situatën e krijuar nga helmimi masiv në lagjen e vjetër të Bulqizës. Shehu ka thirrur në takim drejtues të shëndetit publik, mjek, drejtues të spitalit, të ujësjellësit, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit etj.
Në fjalën e tij, prefekti Nexhbedin Shehu me tone të ashpra iu kërkojë institucioneve të mos shesin përgjegjësinë tek njëri-tjetri, por të bashkëpunojnë dhe t’i japin zgjidhje përfundimtare problemit, pasi edhe pse duket që situata kaloi, raste po shfaqen edhe pas 5 ditësh.
Drejtori i Shëndetit Publik, Bulqizë, Flamur Meta, tha se analizat e para nuk e nxjerrin me problem ujin e pijshëm, megjithëse priten analiza të tjera. Sipas tij, AKU duhet të veprojë për ushqimin që nëse uji rezulton i pastër, të gjendet shkaku i helmimit masiv në Bulqizë.
Policia e Bulqizës vijon hetimet për rastin pas inspektimeve të depove të ujit mbi qytet si dhe veprës së marrjes në një nga ish galeritë e minjerës së Bulqizës.