Një person ka rënë në pranga dhe tre të tjerë janë proceduar penalisht nga Policia e Lezhës, pasi gërryenin në mënyrë të paligjshme shtratin e lumit Mat. I arrestuar është shoferi i ekskavatorit Artur Lika.
Ndërkohë, janë proceduar penalisht drejtuesit e kamionëve, Shyqyri Shuaipi dhe Dashamir Zenelaj, banues në Tiranë, që transportonin me mjetet e tyre inertet e lumit; si dhe Aleksandër Uku, inspektor për Ujërat në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit Lezhë.
Nga ana e Polisë së Lezhës, është bllokuar ekskavatori, dy kamionët që transportonin inertet dhe një makinë private.
Njoftimi i Policisë Lezhë:
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, bazuar edhe në informacionet e marra për disa persona që gërryenin shtratin e lumit Mat, duke marrë zhavorr dhe inerte në mënyrë të paligjshme, kanë ushtruar kontrolle përgjatë shtratit të lumit.
Gjatë kontrollit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 40 vjeç, banues në Milot, Kurbin, pasi u konstatua duke gërryer me ekskavator shtratin e lumit.
Gjithashtu u kapën dhe u proceduan penalisht shtetasit Sh. Sh., 39 vjeç dhe D. Z., banues në Tiranë, drejtuesit e mjeteve kamion që shërbenin për transportimin e inerteve pa dokumentacionin përkatës, të cilët u sekuestruan nga shërbimet e Policisë.
Po në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi A. U., 54 vjeç, banues në Lezhë, më detyrë inspektor për Ujërat në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit Lezhë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk ka ushtruar kontrollin konform ligjit për inspektimin, monitorimin dhe kontrollin e subjekteve në shtratin e lumit Mat.