Sapo ka dalë nga shtypi dhe është hedhur në qarkullim numri i ri i gazetës “Mati”, për muajt tetor – nëntor 2023, me botues intelektualin matjan Qemal Cenaj.
Që në ballinë të saj pasqyrohet shkrimi kushtuar 25-vjetorit të “Mat Televizion”, që u kremtua më 21 tetor 2023, plot krenari dhe nderim, si mediumi i vetëm viziv matjan, që ka përcjellë valën e informacionit dhe të argëtimit në të gjithë qarkun e Dibër, e më gjerë. Shkrimin e zgjeruar nga Fatmir Neli do ta gjeni në faqet 3 dhe 4 të gazetës “Mati”.
Ndërsa me rastin e festave të Nëntorit, nga gjimnazi “28 Nëntori”, Burrel, vjen një buqetë esesh të përgatitur nga mësuesja e letërsisë Ensuida Farruku me maturantët e klasës së 12-B nga shkolla që mban emrin e Flamurit. Esetë e gjimnazistëve nën titullin “Kur çiltërsia të frymëzon” do t’i gjeni në faqet 10, 11 dhe 20 të gazetës “Mati”.
Në faqen 2 të “Matit” vjen shkrimi kritik “Në gjurmë të kontributeve dhe vlerave të Matit e matjanëve”. Në faqen 5, Hamdi Hysuka pasqyron veprimtarinë-homazh që Klubi letrar dhe Biblioteka Mat realizuan për nder të poetit matjan Rakip Lasku të sapo ndarë nga jeta. Në faqen 7 të “Matit” Qemal Cenaj sjell shkrimin “Hysen Doda la pas emrin dhe përvojën, modelin e prindërit dhe specialistit”. Ndërsa nëse doni të shijoni një bisedë të vlerë në shtëpinë e mësuesit veteran Shahin Gjoka, lexoni shkrimin nga Avni Leka “Mësuesi i mirë është si qiriri”. Në faqen 9 të “Matit” vijnë poezi nga Basir Bushkashi dhe Asllan Gjyla. Ndërsa Artan Kurti, në vijim të dëshmive e dokumentave për caktimin e Burrelit si qendër administrative e Matit sjell në faqet 12, 13 shkrimin “Burreli fshat-qytet në dëshmi e kujtime”.
Në faqet e tjera të numrit të ri të gazetës “Mati” vijnë shkrimet mbi Librin publicistik të kantautorit Esat Ruka “Dukuri e fenomene kulturore, profile krijuese”, më pas vijnë dy shkrime nga historiani Ferit Këputa “Kuvendi i Qershizës, kuvend bese në mbrojtje të Atdheut” dhe “70-vjetori i ansamblit folklorik “26 Korriku” të zonës së Laç-Bruç-Urakë. Gazeta vijon me Intervistën e realizuar nga Hasan Pasha me Doktoren e Shkencave Ilirjana Kaceli për 100-vjetorin e Republikës së Turqisë, si dhe me “Mbresa e mendime rreth librit “Pesha e fjalës” e autorit Faik Xhani”.
Në numrin e ri të gazetës “Mati” gjenden edhe mjaft shkrime të tjera interesante që presin lexuesin t’i shfletojë.