Nga Fatjon Baze
Partia Demokratike me anë të disa militantëve të saj, po i përdorë me një organizim në mënyrë qesharake të rinjtë e FRPD-së nëpër rrethe – duke iu paguar biletën në disa stadiume për të thirrur “Rama Ik”.
Këto thirrje politike dhe aspak të përshtatshme në një ndeshje futbolli, janë rreptësisht të ndaluara, dhe në rast se në vendin tonë, ne do të kishim një Federatë Futbolli që të ishte në shërbim të lojës së fair-playt, për klubet organizatore ku është zhvilluar ndeshja duhet që të ishin marrë menjëherë masa ndëshkuese.
Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë deklaratë publike nga FSHF-ja dhe asnjë masë ndëshkuese për klubet, për këto thirrje politike që janë bërë në shkallët e stadiumit nga 10 apo 15 militantë që iu paguan PD-ja biletën e stadiumit, të cilët e kanë përmbushur misionin e tyre, por e kanë bëre edhe më shumë qesharake dhe të pavlerë thirrjen “Rama ik”.
Duke pasur mbështetjen e “Dukës së Krimit”, gjithçka është bërë edhe më e lehtë për një parti politike që është aleate me vëllain e tij, për të bërë thirrje anti-sportive, në një fushë që e ka detyrim të mos përzihet me politikë.
Është ironike teksa sheh sot që Armand Duka bashkë me të vëllanë e tij rreshtohen në mbështetje dhe i japin hapsira një partie që ta përdorë futbollin për poltike, ndërkohë që dikur i ka cilësuar si banditë.
Nuk është se e kanë pasur dhe aq gabim, pasi mjafton t’i shohësh sot, se çfarë kanë bërë njëri në politike dhe tjetri në krye të FSHF-së që ka kthyer në një biznes privat.
Edi Rama, me të drejtë për ata të rinjtë e FRPD-së duhet të largohet, por ata kanë gjetur fushën e gabuar për të kërkuar largimin e tij.
Futbolli është ndoshta, mos të them e vetmja fushë, që shënjon një sukses në qeverisjen e tij në këto gjashtë vite që drejton vendin.
Ata të rinj të FRPD-së që kanë thirrur “Rama Ik”, i kanë bërë këto thirrje në dy impiante moderne, në “Loro Boriçi” dhe në “Air Albania” që janë një sukses i pamohueshëm i kësaj qeverie.
Nëse në kohën e tyre fushat e futbollit, ktheheshin ne pallate, sot Shqipëria gëzon tre impiante të standarteve europiane.
Ndaj, në fushën e futbollit Edi Rama e ka të fituar lojën me ata, ndoshta në fusha të tjera mund të fitojnë duke qenë se aleat tashmë kanë edhe “Dukët e krimit”.