Ndeshjet e javës së dytë të kampionatit të kategorisë së parë në futboll nuk do të zhvillohen këtë fundjavë. Federate Shqiptare e Futbollit ka lajmëruar që ndeshjet e kësaj jave do të shtyhen për mesin e javës së ardhshme. Shkak është bërë ndeshja e kombëtares tonë të futbollit e cila të dielën do të luajë përballë Polonisë në garën për eleminatoret e kampionatit evropian të vitit të ardhshëm.
Të gjitha ndeshjet që ishin planifikuar të luheshin të shtunën dhe të dielën janë spostuar për tu luajtur me datë 13, pra të mërkurën e javës së ardhshme.
Burreli pret në shtëpi ekipin e Kastriotit për llogari të javës së dytë të këtij kampionati, ndërsa ndeshjen e parë në Ballsh kundër Bylisit e ka humbur me rezultatin minimal 1 me 0.
Ndërkohë, tekniku i ekipit matjan, Dorian Bubeqi, ka vijuar me stërvitjen e skuadrës, ku do të shfrytëzojë edhe dy ditët e para të javës së ardhshme për të rikuperuar mangësitë e shfaqura në ndeshjen e parë të kampionatit, ndaj Bylisit.
Në javën që lam pas, Vora, Apolonia dhe Bylisi arritën të marrin pikë të plota pasi mundën rivalët e tyre Besën, Lushnjën dhe Burrelin, ndërsa Luzi vogël 2008 – Flamurtari, Tomori – Korabi dhe Kastrioti – Elbasani ndanë nga një pikë pasi ndeshjet u mbyllën barazim.