Ashtu siç ishte parashikuar, ndeshja mes Burrelit dhe ekipit të Vorës, e zhvilluar këtë të shtunë në stadiumin “Liri Ballabani” ishte luftarake dhe e vështirë, e megjithatë ka përfunduar me rrjeta të paprekura.
Ndeshja e javës së 14 për Burrelin me ekipin e Vorës, që vjen në këtë kampionat me një bilanc pikësh sa dyfishi i skuadrës matjane, ka përfunduar 0 me 0. Megjithë tentativat e futbollistëve të të dyja ekipeve, portat respektive kanë mbetur të paprekura deri në fund të lojës, duke bërë që skuadrat të ndanin nga një pikë secila.
Ky është barazimi i dytë për trajnerin e ri të Burrelit, Klevis Hima, i cili e mori drejtimin e skuadrës vetëm pak ditë më parë. Shpresa për të qëndruar në kategorinë e parë pa sforco të mëdha është rritur në kampin matjan, pasi ekipi ka arritur të marrë pikë edhe jashtë fushe siç ishte në ndeshjen e parafundit ndaj Kastriotit të Krujës.
Pika e sotme në “Liri Ballabani” nuk i ndryshon renditje Burrelit në klasifikimin e përgjithshëm, pasi vijon të jetë i pozicionuar në vendin e 9 nga 12 skuadra të kategorisë së parë. Ndërkohë, kryesimin e mban Bylisi me 35 pikë të mbledhura në këto javë, ndërsa fundin e tabelës e prek Luzi i Vogël me 9 pikë.
Ndeshjet e tjera të luajtura këtë të shtunë përfunduan: Besa – Apolonia 0 me 0, Flamurtari – Kastrioti 1 me 0, Korabi – Luzi 0-0 dhe Tomori – Bylis 0 me 2. Në javën e 15, Burreli do të luajë në transfertë ndaj ekipit të Lushnjës.