Futboll / Burreli mundet edhe në Gjirokastër
Ekipi i futbollit Burreli vijon të ketë rezultate negative në javët e fundit të kampionatit kombëtar të kategorisë së parë. Pas humbjes minimale ndaj Skënderbeut të Korçës, matjanët kanë pësuar disfatë edhe të dielën në transfertë nga Luftëtari i Gjirokastrës. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Gjirokastra” ka përfunduar me fitoren e vendasve me rezultatin 2 me 0. Ka qenë Zani ai i cili i ka dhënë tri pikët e plota skuadrës së tij teksa shënoi nga një gol për secilën pjesë. Goli i parë erdhi në minutën e 37 ndërsa goli i dytë në minutën e 87. Djemtë e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj, në këtë ndeshje nuk mundën as të shënojnë golin e nderit, duke pësuar një tjetër humbje të radhës. Kjo ka bërë që skuadra e Burrelit të mbetet në vendin e 8 me 33 pikë, 1 pikë larg Korabit të vendit të 7 dhe 3 pikë larg Besës së vendit të 6. Kjo humbje e mban Burrelin në zonën neutrale, duke e nxjerrë nga zona Play Off. Ndeshjet e e tjera të luajtura të dielën përfunduan: Skënderbeu – Kastrioti 4 me 0, Laçi – Pogradeci 2 me 0, Apolonia – Besa 1 me 2, Lushnja – Iliria 0 me 3 dhe Kukësi – Korabi 1 me 1.