Këtë të hënë, rreth orës 10.00, në vendin e quajtur “Kodra e Danit”, në Fushë Bulqizë të bashkisë Bulqizë, ka rënë një zjarr, ku u përfshinë nga flakët, pisha të tëra e dushqe.

Banorët, jashtë kameras thonë se dyshojnë se shkak për këtë është bërë djegia e mbeturinave buzë rrugës kryesore, por që zjarri, i ndihmuar edhe nga era, ka dalë jashtë kontrolli duke përfshirë edhe pishat aty pranë.

Menjëherë shërbimi zjarrfikës Bulqizë ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka bërë të mundur neutralizmin e flakëve, duke parandaluar në kohë një tragjedi të mundshme nëse zjarri do të përfshinte banesat e fshatit Kodra e Danit, pasi po përparonte dukshëm drejt tyre.

Nuk është hera e parë që me qëllim djegien e mbeturinave, zjarri del jashtë kontrollit, duke çuar dëm sipërfaqe të tëra të ekonomive pyjore. Ndonëse nuk mungojnë rastet ku persona zjarrvënës janë ndaluar nga policia, sërish dëmtimi i pyjeve e kullotave nga zjarrvëniet nuk kanë të ndalur edhe në qarkun e Dibrës.