Një javë më parë dy tërmete të fuqishme të shkallës 7.8 e 7.5 rihter goditën juglindjen e Turqisë e jugperëndimin e Sirisë duke lënë më shumë se 36 mijë persona të vdekur, qindra mijëra të plagosur e miliona të pastrehë.

Sensibilizimi për tju ardhur në ndihmë këtyre dy vendeve të prekura nga kjo katastrofë natyrore ishte nga e gjithë bota, ku shumë vende dërguan ekipe kërkim-shpëtimi, mes tyre edhe Shqipëria.

Por pas një jave nga kjo ngjarje e rëndë është rritur nevoja për ndihma të tjera si në veshmbathje, ushqime, para etj. Nisur edhe nga fakti që Turqia ishte një nga mbështetësit e parë të Shqipërisë në tërmetin e 26 Nëntorit të vitit 2019, shumë organizata apo institucione kanë nisur fushatën për mbledhjen e ndihmave. Bashkia e Matit nëpërmjet  sektorit të Shërbimit Social ngriti këtë të hënë një pikë për mbledhjen e kontributit qytetar, për t’i dërguar ato në Turqi në zonat e prekura.

Qytetarë të shumtë janë treguar solidar duke dhuruar veshje të ndryshme, produkte ushqimore e vlera monetare sipas mundësive.

Fushata për të mbledhur kontributet do të vijojë dhe është e kanalizuar në rrugë shtetërore në mënyrë që çdo kontribut qytetar të shkojë në destinacionin final, Turqi.

Dritan Kurti