Në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike është mbledhur këtë të Martë në Dibër taskforca në rang qarku e cila përbëhet nga drejtues e përfaqësues të shumë institucioneve. Drejtuesi i kësaj taskforce, i cili është Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu, tha se vëmendja për të parandaluar fenomenin e kultivimit të bimëve narkotike këtë vit do të jetë më e madhe. Kjo për faktin se periudha e kultivimit të kanabisit përkon me fushatën zgjedhore dhe se mund të ketë elementë që duan të përfitojnë nga kjo situatë. Prefekti Shehu ju kërkoi të gjitha institucioneve që të jenë vigjilente dhe të mos lejojnë që grupe të ndryshme, apo individë të caktuar, të tentojnë mbjelljen e kanabisit.
Taskforca antikanabis përbëhet nga përfaqësues të policisë së shtetit, të prokurorisë së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, të pushtetit vendor dhe të institicioneve të tjera.