Ish-deputeti Myslim Murrizi është kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës me akuzën e pastrimit të parave dhe fshehjes së të ardhurave.
Përmes firmës së tij “Murrizi 2009” dyshohet se ish-deputeti nuk ka deklaruar 60 mijë euro dhe dhjetëra transaksione bankare të pajustifikuara. Kallëzimi për Murrizin është bërë nga Drejtoria e Krimit Ekonomik.
“Murrizi 2009” në bashkëpronësi të Myslim Murrizit dhe vëllait të tij Besnik Murrizi ka pasur aktivitetin e saj në përpunimin e mermerit në ndërtim. Koha e transaksioneve që policia ka verifikuar si të pajustifikuara daton prej vitit 2010 e në vijim.
Gjithashtu Murrizi akuzohet nga policia se ka fshehur të ardhurat, duke mos i deklaruar pranë institucionit të ILDKPI-së. Mes informacioneve të depozituara është edhe vendimi i Gjykatës së Durrësit për dënimin e Myslym Murrizit me 3 vite burg për mitmarrje, ndërsa vendimi është konvertuar në shërbim prove. Më pas, Gjykata e Lartë ka prishur vendimin duke i dhënë Murrizit pafajësinë.