Qindra qytetarë të Burrelit dhe fshatrave përreth u mblodhën në Sheshin “Kastriotët” për të festuar natën e ndërrimit të viteve në pritje të Vitit të Ri 2025. Bashkia Mat kishte organizuar një spektakël të veçantë fishekzjarrësh, i cili ndriçoi qiellin dhe solli një atmosferë gëzimi dhe festimi për të gjithë ata që kishin zgjedhur këtë vend për të pritur Vitin e Ri.

Spektakli mahnitës i fishekzjarreve, i cili zgjati disa minuta, u lëshua nga sheshi kryesor i qytetit. Pavarësisht temperaturave të ulëta, qytetarët nuk nguruan të mblidhen masivisht për të shijuar këtë moment të paharrueshëm. Në mesin e turmës, ndiheshin edhe tingujt e muzikës që ndihmonte në krijimin e atmosferës festive.

Për të siguruar rendin dhe qetësinë publike, përballë numrit të madh të qytetarëve, Policia e Shtetit dhe stafi i ambulancës së spitalit Bashkiak Mat ishin të pranishëm në vendngjarje. Ata monitoruan me kujdes situatën për të parandaluar çdo incident të mundshëm. Prezenca e tyre konsitoi në respektimin e masave të sigurisë, edhe pse shpërthimet e fishekzjarrëve nga qytetarët ishin të shumta.

Përveç fishekzjarrëve që u shpërthyen në mënyrë të monitoruar nga Bashkia, qytetarët e Burrelit shpërthyen edhe shumë të tjerë, duke krijuar një pamje të jashtëzakonshme mbi qytet, ku dritat dhe ngjyrat e ndezura në qiell u kombinuan me tingujt e festës dhe gëzimit të qytetarëve.