Në një atmosferë plot ngjyra dhe emocion, gjimnazi “Pjetër Budi” në Burrel organizoi aktivitetin festiv kuqezi me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut dhe Festës së Flamurit. Aktiviteti u zhvillua në Pallatin e Kulturës Burrel, ku morën pjesë nxënësit, stafi pedagogjik, drejtoria e shkollës, prindër, përfaqësues të Zyrës Vendore të Arsimit Mat dhe të Bashkisë Mat, duke e bërë këtë ditë të veçantë për të gjithë komunitetin.

E mbështetur nga Drejtoria e shkollës, veprimtaria u udhëhoq nga mësuesit koordinatorë për aktivitetet dhe Qeverinë e Nxënësve, Vjollca Guna dhe Lefter Bukaçi. Nxënësit e gjimnazit “Pjetër Budi” performuan në skenë me pasion dhe përkushtim, duke sjellë atmosferën patriotike përmes interpretimit të poezive, këngëve, valleve tradicionale dhe dramatizimeve. Performancat e tyre, që përçuan dashurinë për atdheun dhe flamurin kombëtar, u pritën me duartrokitje të zjarrta nga të pranishmit.

Aktiviteti kulmoi me përshëndetjen e ngrohtë nga drejtori i gjimnazit “Pjetër Budi”, Qemal Sulaj, i cili uroi për Festat e Nëntorit dhe falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e kësaj veprimtarie rinore me mesazhe liridashëse dhe atdhedashurie.

Nderuan me praninë e tyre në këtë veprimtari dhe nënkryetarët e Bashkisë Mat, Myslym Zeneli e Flutura Biba, si dhe nga ZVA Mat, drejtori Lefter Salaj e specialisti Naim Sadikaj.  Emocionant qe dhe momenti kur N/kryetari i Bashkisë Zeneli dhe Drejtori i ZVA-së Salaj i dorëzuan Certifikatën e Vendit të Parë dhe Kupën ekipit të futbollit të djemve përfaqësues të gjimnazit “Pjetër Budi”, Burrel, që  triumfoi në aktivitetet sportive të organizuara në rang Qarku në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

Veprimtaria letraro-artistike kuqezi e gjimnazistëve të “Pjetër Budit” në Burrel, mbetet një dëshmi e gjallë e përkushtimit të rinisë matjane për vlerat kombëtare dhe kulturore shqiptare, duke ndriçuar shpirtin patriotik në zemrat e të gjithëve.