Fermerët kanë nisur mbledhjen e prodhimeve bujqësore gjatë këtyre ditëve, ndonëse janë të pakënaqur me sasinë e prodhimit, kryesisht të fasules. Ndërkohë, familja Dardha, nga fshati Majtarë e Maqellarës në Dibër, përbën një rast të veçantë, pasi 13 anëtarët e saj janë të përkushtuar të gjithë në bujqësi. Ata kanë nisur korrjen dhe vjeljen e misrit, ndonëse nuk janë krejt të kënaqur me prodhimin që kanë marrë. Adem Dardha thotë se familja e tij merret vetëm me bujqësi e blegtori pasi nuk ka asnjë mundësi tjetër për të siguruar të ardhura ekonomike. Një nga problemet me të cilat janë përballur thuajse të gjithë fermerët e qarkut Dibër ka qenë ai i fasules, pasi këtë vit nuk ka patur prodhim.
Nga ana tjetër, fermeri Adem Dardha thotë se tjetër problematikë që po përballet familja e tij është edhe mungesa e aksesit për të kaluar rrugën e Arbrit, e cila i ka mbyllur rrugën e dikurshme.
Si të mos mjaftonte prodhimi i dobët, fermeri Adem Dardha thotë se për këtë vit nuk ka marrë ende paratë për subvencionimin e naftës megjithëse është kualifikuar si përfitues.