Qendra e Personel Rekrutimit pranë Forcave të Armatosura ka hapur thirrjet për regjistrimin e kandidateve për ushtarë/detarë aktiv dhe kërkon të rekrutojë 270 kandidatë në të gjithë vendin.
Qendra e Personel Rekrutimit pranë Komandës së Forcës Tokësore Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut në Burrel, ka filluar regjistrimin e kandidatëve. Kandidatët që duan të bëhen pjesë e forcave të armatosura do të duhet të plotësojnë disa kritere që janë: të mos jetë i dënuar, të mos ketë kryer vepra penale, të mos jetë deportuar për kryerje vepre penale nga shtetet e huaja, mosha minimale 18 vjeç, të ketë kryer minimumi arsimin 9-vjeçar, të jetë i gjatë mbi 1.65 metra meshkujt dhe 1.60 metra femrat, etj.
Shtetasit që dëshirojnë të shërbejnë në Forcat e Armatosura si ushtarë/detarë aktiv, mund të aplikojnë: online, në postë, në seksionet e rekrutimit në qarqe, si dhe në Qendrën e Personel Rekrutimit, e cila për Qarkun Dibër ndodhet përballë Bashkisë së Matit, në sheshin “Kastriotët”.
Aplikantët plotësojnë formularin e aplikimit, pranimit dhe marrin njoftimin për dokumentet e nevojshme, kuotat e rekrutimit, specialitetet, rajonet e rekrutimit, afatin e paraqitjes në Qendrën e Personel Rekrutimit për vijimin e procesit të pranimit, testimit e përzgjedhjes, etj.
Vitet e fundit kërkesa për tu bërë pjesë e forcave të armatosura është rritur për shkak edhe përfitimeve të shtuara ekonomike. Ndërkohë aplikimet do të bëhen deri me datë 31 Dhjetor 2024.