Në kuadër të fushatës së rekrutimeve për ushtarë dhe detarë në Forcat e Armatosura u zhvillua këtë të enjte në qytetin e Burrelit aktiviteti “Ditë e Hapur” ku u bë dhënia e informacionit të duhur dhe sensibilizimi i shtetasve të interesuar, për tu bërë pjesë e Forcave tona të Armatosura. Komandanti i Regjimentit të Këmbsorisë së Veriut, Nënkolonel Ali Mali, tha se Forcat e Armatosura janë një mundësi e mirë për të gjithë të rinjtë që duan të bëhen pjesë e tyre. Duke e venë theksin edhe te ambientet e punës dhe të stërvitjes tepër bashkëkohore, n/kolonel Mali i ftoi të rinjtë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura, si një mundësi ideale për të treguar se sa e duan vendin e tyre dhe sa të aftë janë për t’ia dalë mbanë një sfide kaq të madhe sa intelektuale aq edhe fizike, siç është të qenit pjesë e FA.
Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se kontributi i Forcave të Armatosura është i paçmueshëm jo vetëm në misionet e jashtme por edhe në emergjencat që paraqiten në vendin tonë.
Në sheshin “Kastriotët” pranë Bashkisë së Matit u ekspozuan armatime e mjete teknike të Forcave të Armatosura që patën mundësinë të vizitohen nga të gjithë të rinjtë e gjimnazeve të Matit e Klosit, por edhe të rinj të tjerë. Forcat e Armatosura mbeten të hapura për të ofruar asistencë për të gjithë ata të rinj që duan të bëhen pjesë e tyre.