Banorët e fshatit Shulbatërr, në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit, vijojnë të përballen prej afro dy muajsh me aromën e keqe të ujërave të ndotura të shpërndara në sipërfaqe. Banorë e Shulbatrrës vijojnë të apelojnë për ndërhyrje në eleminimin e ujërave të zeza, pasi sipas tyre, aroma e rëndë dhe infeksionet janë prezente në mes të rrugës kryesore të fshatit.

Pas kronikës sensibilizuese të transmetuar në median tonë vizive më 15 korrik 2023, ujësjellës-kanalizime Klos ka dërguar në Shulbatër dy puseta me synim eleminimin e ujërave të zeza. Sipas specialistëve të ndërmarrjes së U-K Klos, disa herë forca e mjete të kësaj ndërmarrje kanë ndërhyrë duke eleminuar defektet në kanalizimet e ujërave të zeza në Shulbatër, por dyshohet se janë vetë banorët e Shulbatrës ato që hedhin materiale që bllokojnë tubacionet e shkarkimeve. Gjithësesi ata premtuan se ndërhyrja e radhës nga U-K Klos do të jetë sërish prezente për zgjidhjen e këtij problemi.