Situata e krijuar nga moti i keq vijon të jetë problematike sa i përket furnizimit me energji elektrike kryesisht në Dibër e Bulqizë.

Aktualisht pa rrymë elektrike vijojnë të jenë 8 fshatra  të Njësisë Administrative Kala e Dodës në Bashkinë Dibër dhe 11 fshatra të Bashkisë Bulqizë si në Ostren, Zerqan, Shupenzë e Gjoricës, pasi rrjeti dhe kabinat elektrike u dëmtuan nga reshjet e dëborës së të shtunës së kaluar.

Erërat e forta kanë bërë  ndërprerjen e energjisë elektrike gjatë natës edhe në Njësinë Administrative Xibër në bashkinë e Klosit dhe disa fshatra të bashkisë së Matit, dukje lënë në terr të plotë mijëra banorë.

Sa i përket situatës nga reshjet e dëborës në qarkun Dibër, deri tani janë të pakalueshme rrugët e fshatrave të Njësive Administrative Kala e Dodës, Selishtë e Zall Dardhë në Bashkinë Dibër.

Për momentin furnizimi me ujë të pijshëm në të gjithë Qarkun Dibër bëhet pa probleme.

Ndërkohë, sinoptikanët parashikojnë që situata atmosferike pritet të jetë e njëjtë përsa i përket reshjeve edhe ditën e mërkurë. Në një pjesë të mirë të territorit të qarkut Dibër do të reshje shiu në formë shtërngatash, ndërsa në zonat malore pritet të ketë reshje dëbore.

Ndaj, autoritetet e mbrojtjes civile ju bëjnë apel banorëve të shmangin lëvizjet e panevojshme për shkak se mund të ketë fryrje të përrenjve malorë dhe lumenjve në zonat rurale.