Pas vendosjes së linjës së re të tubacioneve për shkarkimin e ujërave të bardha në Lagjen e Re të qytetit të Bulqizës, ndërmarrja e shërbimeve bashkiake në këtë bashki ka nisur punën për rehabilitimin e trotuareve. Ujërat e shiut, të cilat grumbulloheshin në Lagjen e Re të Bulqizës, rridhnin në sipërfaqe pasi rrjeti ishte dëmtuar nga punimet e formës për rehabilitimin e rrjetit të ujërave të zeza. Në këto kushte, Bashkia ndërhyri dhe sistemoi rrjetin e ujërave të bardha. Pas këtij procesi puna është përqendruar në riparimin e trotuareve që ishin dëmtuar nga procesi i punimeve në rrjetin e ujit të shiut. Haki Teodori, teknik pranë ndërmarrjes së shërbimeve bashkiake, tha se me përfundimin e punës në trotuare mbyllet e gjithë problematika që ishte në këtë zonë të Lagjes së Re.

  Dëmtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha ishte kthyer në problem serioz në Lagjen e Re të qytetit të Bulqizës, pasi për shkak të mosfunksionimit të tyre, uji përmbyste rrugën e Arbrit tek ura mes dy lagjeve të qytetit.