Një ndër aktivitetet më të diskutueshme për tu rihapur janë edhe garat sportive, kryesisht në futboll. Covid-19 ka bërë që të ndërpriten të gjitha garat sportive, po ashtue dhe sporti. Por tashmë klubet po kërkojnë që të rifillojë kampionati. Drejtori Teknik në Klubin e Futbollit “Burreli”, Klevis Gjoka në një prononcim për mattv.al, tha se për gjithçka flitet për tju rikthyer normalitetit, ndërsa për sportin jo. Meqenëse ekipet nën varësi të bashkive nuk janë përfshirë në paketën e FSHF, Gjoka tha se duhet të rinisë gara e lojtarët të zbresin në fushë. “Shohim çdo ditë lehtësira për rinisjen e aktiviteve dhe shumë mirë bëhet. Por institucionet nuk flasin për rifillimin e kampionatit të futbollit. Mendoj që ashtu si aktivitetet e tjera, edhe ata duhet të nisin tashmë, normalisht duke zbatuar rregullat e mbrojtjes ndaj Covid-19. Ne edhe pse ndodhemi në këtë situatë, nuk kemi përfituar asgjë nga FSHF, ndaj kjo e fundit duhet të mendojë rinisjen e garës. Ne duam që djemtë të zbresin në fushë pasi vetëm ky muaj ka mbetur për të zhvilluar garën sepse më pas, ne nuk i kemi kushtet e përshtatshme, por jo vetëm ne, të gjitha ekipet e kategorisë së parë” – tha Gjoka. Ndërkohë, paketa e ndihmës së FSHF ndaj klubeve sportive përjashtoi ato të cilat varen nga bashkitë, ku një ndër to është edhe ekipi i Burrelit.